Home Aktualitet Socialistët kthejnë në ligj të shtetit platformën e vet elektorale

Socialistët kthejnë në ligj të shtetit platformën e vet elektorale

nga Editor

Një foto nga një nga mitingjet elektorale të Partisë Socialiste mbulon faqen e parë të portalit shqiperiaqeduam.al, një portal i krijuar vite më parë dhe që është kritikuar si një instrument që zhduku dalimin mes institucioneve shtetërore dhe Partisë Socialiste gjatë katër viteve të fundit. Por një projektligj i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në parlament synon që këtë portal ka kthejë si pjesë e strukturës qeverisëse të vendit, duke krijuar në këtë mënyrë një strukturë paralele me institucionet e zakonshme. Struktura duket se i fton qytetarët që ankesat e tyre për institucione të ndryshme të mos i drejtojnë në institucionet përkatëse shtetërore, si fjala vjen, polici apo prokurori, por t’ia drejtojnë portalit të Partisë Socialiste.

Projektligji “Për Bashkëqeverisjen” është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë [Link] dhe ai kërkon të ngrejë një strukturë piramidale nën varësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe me zyrtarë të infiltruar në të gjitha strukturat shtetërore, përfshirë ministritë, kadastrat, e të tjera.

Sipas projektligjit të qeverisë, drejtuesi i agjencisë dhe “koordinatorët” që ky drejtues do të përcaktojë në institucionet shtetërore, do të kenë për detyrë, mes të tjerave, të nisin procedurë disiplinore apo hetim administrativ ndërsa të gjithë punonjësit e institucioneve shtetërore do të kenë për detyrë të “bashkëpunojnë” me këtë agjenci, nën kërcënimin e penaliteteve që përcaktohen nga drejtuesi i agjencisë. Koordinatorët do të kenë për detyrë të bëjnë “inspektime” dhe të “konstatojnë shkelje” si dhe t’i rekomandojnë institucionit punëdhënës të punonjësit shtetëror largimin e tij nga detyra.

Sipas praktikës së zakonshme të socialistëve deri më sot, edhe kjo agjenci nuk do të ketë asnjë funksionar me statusin e nëpunësit civil, gjë që i jep mundësinë kryeministrit të emërojë persona politikë në të. Projektligji thotë gjithashtu se drejtori i përgjithshëm emërohet nga  kryeministri por nuk përcakton asnjë kriter për cilësitë që duhet të përmbushë kandidati për drejtor. Projektligji nuk përcakton gjithashtu asnjë procedurë punësimi, fjala vjen, konkurs. Ndonëse logjika ta do që shteti duhet të nxisë qytetarët të denoncojnë korrupsionin në strukturat përkatëse si SPAK, projektligji sanksionon që platforma do t’i nxisë qytetarët ta denoncojnë korrupsionin në këtë strukturë. Projektligji sugjeron gjithashtu që këta persona, koordinatorët e agjencisë, do të kenë mundësinë që të “verifikojnë indiciet” për ngjarjen korruptive dhe, nëse e shohin të arsyeshme, të kryejnë referimin e veprës penale në “prokurorinë kompetente”.

Portali shqiperiaqeduam.al u shfaq katër vjet më parë. Megjithëse dukshëm ishte një platformë elektorale e Partisë Socialiste, e mbushur me simbolika të kësaj partie, banerat e saj pushtuan faqet e internetit të të gjitha institucioneve kryesore duke i ftuar vizitorët që të regjistrojnë të dhënat e tyre personale në këtë faqe.

Kryeministri Edi Rama foli për këtë projektligj gjërë e gjatë në fjalën e tij të parë si kryeministër i mandatit të tretë. Ai e bëri të qartë në fjalën e tij se platforma do të trajtojë ato tema të nxehta të njohura për shqiptarët: Hipotekat, lejet e legalizimit, licencat, me pak fjalë, ato funksione të shtetit për të cilat, qytetarët kanë të drejta ligjore, por që socialistët janë kapur shpesh duke i përdorur si mjet pagese për vota.

“Do t’ju lutesha ta lexoni vetë deri në fund, gërmë për gërmë ligjin e ri të bashkëqeverisjes, ta konsideroni biblën dhe kuranin e shërbimeve ndaj publikut,” deklaroi Rama në fjalën e tij.

“…mos merrni në kurriz mallkimet që na i faturojnë minjtë e hipotekave, të legalizimeve, të lejeve, të licencave të autorizimeve,” shtoi ai./Reporter.al

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!