Home Aktualitet Thellohen tensionet, KFOR-i rrit patrullimet në veri të Kosovës

Thellohen tensionet, KFOR-i rrit patrullimet në veri të Kosovës

nga Editor

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë ka thënë se ka rritur numrin e patrullimeve në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që buron nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar – që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit të KFOR-it.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 25 shtator, Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërkaq Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan u sulmua. Për këto incidente, Kosova ka fajësuar Serbinë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!