Home Aktualitet E nderuar Zonja Ministe e Arsimit! | Nga Granit Sokolaj

E nderuar Zonja Ministe e Arsimit! | Nga Granit Sokolaj

nga Editor

Fatkeqësisht jam i detyruar t’ju shkruaj për atë që flitet e diskutohet sot, në lidhje me vitin e ri shkollor. U jam drejtuar edhe vitin e kaluar, po me një letër të hapur, por siç duket, e kishit fillimin e detyrës si ministre dhe nuk kishit shumë kohë te merreshit me ankesat e hallexhinjve. Hallexhinj si unë, për këtë rast, është plot Shqipëria, janë qindra e mijëra prindër fëmijësh, nxënësish, që presin të nisin vitin e ri shkollor.
Arsyeja pse po ju shkruaj nuk është fort e vogël. Por, mesa shihet, fëmijët tanë, ndoshta edhe fëmijët tu, do të kenë fatin e keq të bëjnë mësim si vitin e kaluar apo edhe gjysmën e një viti para tij, pra mësim të cunguar, e thënë më shqip, fare mësim (fëmijët tu ndoshta jo, sepse i çon në shkolla private që u lejoni ta zhvillojnë mësimin si të dëshirojnë, më pas i arsimoni në kolegjet më të shtrenjta në botë).
Situata e pandemisë, etj, etj, etj, në lidhje me nxënësit e shkollave 9-vjeçare e atyre të mesme, tashmë është vetëm një pretendim pa asnjë lidhje e justifikim dhe nuk e kuptoj përse doni të vazhdoni sërish me mësime me orare të shkurtuara e ndoshta edhe online.
Së pari, të gjithë mësuesit e Shqipërisë janë vaksinuar, keni nisur që vjet fushatën me detyrim. Plotësisht dakord isha. Edhe ne, shumica e prindërve të fëmijëve, jemi të vaksinuar, me më të mirat në treg, si dhe me kineze e ruse…
Së dyti, të gjitha studimet, rastet, hulumtimet etj, në të gjithë botën, të gjitha deklaratat e OBSH etj, janë në favor të fëmijëve, pra që risku i tyre është minimal.
Së treti, shkollat jopublike, vitin e kaluar, por edhe këtë vit akademik, orët i kanë bërë të plota, klasat sipas numrit të fëmijëve të regjistruar dhe jo të ndarë.
Së katërti, sa janë në gjëndje femijët tu të mësojnë me linke në youtube? Matematiken, fizikën, kiminë, etj? Apo me orë 25-minutëshe?
Së pesti, si ministre dhe si nënë, a jeni në gjëndje të kuptoni dëmin që iu shkaktohet këtyre brezave në nxënjen e mësimeve dhe pasojat për vitet e ardhshme akademike? Për maturën, për provimet, për universitet?
Zonja ministre!
Një vit të plotë dhe me para, më shumë se gjysmën e një viti shkollor, fëmijët tanë, përfshirë dhe vajzën time, pandëmia dhe urdhërat tuaj i dëmtuan jashtëzakonisht shumë. Në Gjermani, Zvicër, Suedi e gjetkë, fëmijët shkonin në shkolla, në Shqipëri rrinin duke pritur kur do t’ju hidhnin mësuesit ndonjë link… (ndjesë për ata mësues, të cilët kanë punuar vërtet fort e që janë të shumtë në numër, sepse ka edhe të tillë, megjithë vështirësitë e mësimdhënjes online)
Zonja ministre!
Unë e kuptoj fort mirë që çdo sistemi, që të zgjasë jetëgjatësinë e tij në pushtet, i intereson që populli të jetë sa më i pashkolluar, sa më i prapambetur dhe sa me më pak dije. Atëherë ai është popull i lumtur dhe duartroket e voton çdo qeveri.
Po përse duhet ta vuajë ime bijë këtë dëshirë pushteti, kur aspiratat e saj, aftësitë e saj dhe dëshira e saj, nuk kanë më asnjë lidhje me këtë vend? Përse, po e penalizoni e pengoni, ndërkohë që nuk i ofroni asgjë? Përse po e bindni çdo ditë e më shumë, që ndoshta nuk vlen as të përfundosh gjimnazit në këtë vend, por të zhduket sa më parë? Përse, jovetëm time bijë, por qindja mijëra nxënës sa ajo e më të vegjël madje?
Zonja ministre!
Duke e ditur fort mirë, që Komiteti Teknik i Ekspertëve, më shumë ndikohet/diktohet sesa bazohet… në bashkëpunim dhe me kryeministrin, e keni mundësinë ta urdhëroni, që shkollat të funksionojnë normalisht, me oraret mësimorë standarde, orët e plota.
Shumë e thjesht zonja ministre! Fëmija im do të ndihet i barabartë me një gjerman, zvicerian apo italian, përsa i përket shkollës, të mësuarit. Këtë të drejtë e ka legjitime, 21 vjet pasi ka hyrë shekulli XXI. Kaq po kërkon, ajo, unë, fëmijët e prindërit tjerë: Të mendoni vetëm kaq pak. Tjetër gjë nuk iu ofroni dot, sot as mot dhe nuk iu ofruat në 30 vjet demokraci.
Më fal, harrova: Iu keni ofruar të gjitha mundësitë për t’i bindur që ky vend është faqja e zezë për të ardhmen e tyre.

P.S: U gëzova shumë kur iku Besa… Uroj mos t’ia kesh dhënë besën që do ta vazhdosh rrugën e saj për arsimin në Shqipëri!

Me shumë konsideratë si nënë dhe zonjë (si ministre jo)

Granit Sokolaj!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!