Home Aktualitet 26 nëntor… zëra dhe lot nga rrënojat, si emocionet mposhtën gazetarët

26 nëntor… zëra dhe lot nga rrënojat, si emocionet mposhtën gazetarët

nga Albina Hoxhaj

Veliu: Vdekjet dhe jetët e shpëtuara në Thumanë, raportimet më të vështira në këto 17 vite si gazetar. Skendaj: Nuk e kisha menduar se zanati do më kishte vënë në një sprovë të tillë. Ermelinda Hoxhaj: Kam parë njerëz të fortë emocionalisht, sidomos në familjen Lala. Rashela Shehu: Kemi raportuar larg familjeve tona dhe në çdo lëkundje të tërmetit mendimi i parë ishte për ta. Eksiola Shehu: Raportimi për trupat e pajetë ka qenë i tmerrshëm. Isa Myzyraj: Nuk jemi te trajnuar për të tilla ngjarje. Ermal Qori: Po ndahej misioni nga pasoni

Enida Vërça

Tërmeti apokaliptik i 26 nëntorit depërtoi mbi çdo njeri dhe mbi çdo profesion. Tmerri i atij mëngjesi dhe pasojat në jetë të humbura dhe dëmet materiale vazhdojnë të na shoqërojnë çdo ditë. Heronjtë e kësaj tragjedie nuk ishin vetëm ekspertet e kërkim-shpëtimit. Këta heronj ishin të heshtur, në këto ditë zie që pllakosi vendin, në mesin e kësaj tragjedie pati edhe heronj të cilët nuk heshtën, por përçuan zërin që dridhej në çdo media, gazetarët. Të gjendur një situatë e cila në kujtesën e shumë prej tyre nuk ishte regjistruar më parë, ata përcollën lajmin e fundit me mjeshtëri, por të mbërthyer nga ndjenja humane, për jetët që po shuheshin nën gërmadha. Ata tregojnë për gazetën “Shekulli”, se si e kanë përjetuar këtë ngjarje dhe çfarë peshe të rëndë kanë pasur mbi supe, për të transmetuar një tragjedi me përgjegjësi të madhe profesionale.

Pavarësisht përpjekjeve, lotët dhe zëri i mekur, ishte pjesë e çdo lidhje të drejtpërdrejtë. I tillë ishte rasti i gazetarit, Muhamed Veliu. Ai thotë se vdekjet dhe jetët e shpëtuara në Thumanë, kanë qenë për të raportimet më të vështira në këto 17 vite në profesionin e vështirë që ka zgjedhur. “Kam mbërritur në Thumanë rreth orës 06:00 të 26 nëntorit për të qëndruar atje duke përcjellë për Top-Channel çdo zhvillim minutë pas minute deri në momentin kur iu dha lamtumira pjesëtarëve të familjeve Cara, Greku dhe Vata. Gjatë këtyre ditëve, duke raportuar nga Thumana e më pas nga Shijaku (qyteti im i lindjes), Durrësi e Shkozeti më vinte gjithnjë e më shpesh në mëndje një gjë.

Se sa i hollë është filli që e ndaj jetën nga vdekja. I pashë të dyja duke raportuar nga Thumana. Trupat e pajetë që nxirreshin nën rrënojat dhe të atyre të cilët mundën të mbijetojnë. Kjo tragjedi kombëtare na tregoi shumë aspekte nga të cilat do të veçoja unifikimin si një trup i vetëm të gjithë atyre që u përfshinë në operacionet e shpëtimit. Ende nuk arrij ta kuptoj se ku ata njerëz banorët e Thumanës, Forcat e FNSH Shkodër dhe Lezhë, ato RENEA-së e më pas ato të ardhura nga Kosova e gjenin forcën dhe fuqinë për mos tu ndalur asnjë moment në kërkimin e njerëzve nën rrënoja”, deklaroi ai.

Veliu thotë se banorët e Thumanës janë rrënjosur thellë në zemrën e tij. “Me raportimet e mija unë u bëra pjesë e tyre në momentet e kobshme kur nxirreshin të afërmit e tyre të pa jetë dhe ata që nuk mundën të mbijetonin. E gjitha prodhoi emocione të forta, të cilat i përcolla ashtu siç ndodhnin tek unë si njëri mbi të gjitha e më pas si gazetar. Ishte e pamundur për mua ta ndaja ato momente të qenit gazetar nga të qenit një qytetar i këtij vendi që po shihte dhe prekte nga afër këtë tragjedi në zemrën e saj. Lotët që kishin pushtuar qytetarët e Thumanës kur prisnin me ankth të mësonin fatin e të afërmve të tyre nuk më kursyen as mua. Ato lot erdhën drejtpërdrejt në atë transmetim pas një momenti tejet të vështirë ku dy persona njëri mbi tjetrin ato momente u gjetën të pajetë”, rrëfen gazetari. Më tej shton se në këtë tragjedi më përmasa të tilla, duhet kurajë, duke shtuar se ishte e rëndësishme të mos shpërndahej panik për ata që i ndiqnin.

Historitë

Edhe për kolegun Erjon Skendaj, ky raportim është rrënjosur thellë në mendje, duke shpresuar që të mos raportojë më ngjarja kaq të kobshme. I tronditur, ai tregon momentin e parë të mbërritjes në Thumanë dhe menaxhimin e emocioneve gjatë raportimeve të drejtpërdrejta. “Momenti i parë që shkela në Thumanë ishte shokues. Njerëz, banorë të zonës dhe policë që me duar hiqnin sa më shumë gurë nga pirgu që lartësohej sa një ndërtesë tre katëshe, ndërsa nga poshtë dëgjoheshin ulërima të personave të gjallë që kërkonin ndihmë. Një grup banorësh dhe disa punonjës të një kompanie private, nxorën një grua rreth të 60 që shfaqte shenja jete. Nga ora 6.30 minuta e mëngjesit që unë mbërrita në Thumanë, toka vibronte vazhdimisht dhe njerëzit në panik largoheshin për disa sekonda e më pas i riktheheshin kërkim-shpëtimit. Në panik truprojat larguan edhe presidentin Meta që ndodhej poshtë pjesës së pallatit 5 katësh që mbeti në këmbë pas tërmetit. Ushtria mbërriti rreth orës 6.30 -7 të mëngjesit”, rrëfen ai.

Gjatë fjalës së tij, ai tregon se në çfarë kushtesh ishin duke punuar grupet e kërkim-shpëtimit, teksa jeta e tyre ishte në rrezik. “Nuk kishin as doreza as kokore mbrojtëse as mjete pune e as qen të trajnuar për të kërkuar nën rrënoja për të mos folur për pajisje teknologjike si ato termike që lokalizojnë energjinë trupore përmes mureve dhe objekteve. Mjetet speciale për situatave të tilla mbërritën nga ora 12 në mos gabohem kur erdhën forcat xheniere të ushtrisë së Kosovës. Deri në orën 14 kishte shumë shpresa për jetë të gjalla nën rrënoja, por më pas zërat nga poshtë nisën të shuhen, dhe kjo na hidhëronte të gjithë sa ishim aty. Si gazetarë kemi punuar në ankth të madh, ishte e pamundur të mos përfshiheshe në hidhërimin që kishte pllakosur të gjithë vendin ku kërkohej.

Pranë kishim familjarët që vetëm qanin dhe luteshin për të afërmit që tu dilnin gjallë. Nuk guxova kurrë tu afrohesha me kamera në respekt të dhimbjes dhe zisë së pashpallur. Nuk e kisha menduar se zanati do më kish vënë në një sprovë të tillë, që për nga trauma që shkaktoi tek të gjithë ne ia kalonte Gërdecit apo tragjedive të tjera që kam përjetuar si gazetar”, thotë ai. Skendaj tregon se në këtë raportim ishte e vështirë të ishe objektiv 100% dhe i ftohtë në gjykim. “Personalisht jam lutur me shpirt për të riun që qëndroi 17 orë nën rrënoja po që në momentin e fundit kur do transportohej në spital ndërroi jetë nga hemorragjia. Ushtarakët shqiptarë na treguan se ai djalë kishte kurajë sa për të gjithë ne që ankthi na kish kapluar. Ai bisedonte gjithë kohës grupet e kërkim-shpëtimit që përpiqeshin të largonin një strukturë betoni që i kish zënë të dyja këmbët. Madje u kërkoi atyre edhe cigare sikur asgjë nuk i kish ndodhur. Nuk e di nëse drama e atyre njerëzve të pafat do më hiqet ndonjëherë nga mendja, po lutem me shpirt për të mbijetuarit që të mos shohin kurrë më keq në jetë”, përfundoi ai./shekulli/

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!