Protesta kundër krerëve të BE-së, si mbyllje e një mashtrimi të madh!

Read Time:3 Minute, 30 Second

Nga Poli Hoxha

Sali Berisha doli fillimisht këtë të premte përpara gazetarëve dhe përveç retorikës së zakonshme kundër Edi Ramës, paralajmëroj se udhëheqësit e BE-së të cilët do të zbarkojnë si kurrë më përpara në Tiranë në 6 dhjetorë, do të priten me protesta.

Nuk guxoi që si për çdo çështje të opozitës që drejton të thoshte “Unë”, por ja “rrasi” vendimin kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit. Dhe ashtu u bë. Duket se halli i Berishës qenka më i madh se sa ja dimë!

Argumentimi “diplomatik” i Berishës për këtë protestë të paprecedentë për vendin me popullsi më properëndimore në kontinent, ishte se kështu do ti tregojmë Europës se kush është Edi Rama.

Ata e dinë se kush është ky lloj kryeministri, mjafton që të lexoni raportet e tyre të cilat e nxijnë qeverisjen e tij të korruptuar gjithmonë e më shumë. Nuk ka logjikë normale që ta justifikojë këtë protestë, përveçse me hallin personal- familjarë të Berishës. Përveçse me shantazhin e fundit, që po i bën Perëndimit dhe Drejtësisë. Çfarë kërkon ai nga krerët e BE-së, që të sjellin ushtritë e vendeve të tyre këtu dhe të rrëzojnë pushtetin e Ramës?!

Këtë të fundit e rrëzon dhe e çmonton vetëm një opozitë e çliruar nga barra e mëkateve 30 vjeçare të grupimeve Berisha- Metaj dhe këtë e dinë edhe më naivët.   

Në fakt nëse vërtet arrin që të mbledh njerëz në 6 dhjetor, Berisha, De Fakto do të jetë duke i bërë Ramës dhuratën më të madhe, që as ai vetë nuk e ka pritur. Kryeministri me qeverisjen më të korruptuar në rajon dhe më tej, këtë herë do të ketë mundësinë që tu tregojë kryetarëve të shteteve të BE, live dhe me gisht, se me çfarë opozite nëpër këmbë, “e ka zënë halli” që të drejtojë vendin.

Përpara një muaji u mblodh G7 dhe për herë të parë në historinë e këtij grupimi që kur është themeluar, nuk pati protesta as nga grupet e zakonshme ultra-radikale që mezi e presin këtë zhvillim. U zhvillua takimi i G20 pak ditë më parë dhe sërish për herë të parë në historinë e tij, nuk pati protesta. Kjo vetëm për faktin se Perëndimi dhe bota me të gjitha ngjyrat e veta politike është e ndërgjegjshme, se rreziku i Rusisë fashiste tashmë ka trokitur te porta.

Berisha u përpëlit 3 muaj pavarësisht nga presioni i demokratëve, për të bërë një protestë në 12 nëntor. Tani papritur u bën sërish thirrje atyre që tu “zënë rrugën”, krerëve të Perëndimit. Situata duket sa qesharake, aq edhe tragjike.

Qesharake sepse Berisha po shfrytëzon rastin, që udhëheqësit e Europës të kthejnë kokën nga ai. Njësoj si ata adoleshentët e dëshpëruar të cilët bëjnë sherr në oborrin e shkollës me të vetmin synim që bukuroshet që nuk ja varin, të kthejnë kokën dhe ta shohin.

Është tragjike sepse me këtë lëvizje Berisha po tenton që të njollos përfundimisht emrin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare, pavarësisht se mendjekthjellët e dinë tashmë se çfarë përfaqëson Rithemelimi në të vërtetë.

Por më tragjikja është se ai po e bën këtë me ndërgjegje dhe një pashpirtësi të lig. Besoj ju kujtohet kur deklaronte menjëherë pas “nongratës” dhe përjashtimit prej Lulzim Bashës nga Grupi Parlamentarë, se ajo parti që nuk mbron qoftë edhe përball SHBA-së dhe Perëndimit ish-kryetarin e saj, nuk e meriton që të ekzistojë!

Por PD e studentëve të dhjetorit, nuk lindi si një çiflig i Sali Berishës. Ky i fundit i ka marrë asaj gjithçka, pushtet e pasuri. PD që themeloi pluralizmin shqiptarë lindi si partia e parë euro- atlantike dhe nuk mund të protestojë kundër Perëndimit. Nëse e bën ajo nuk është PD, por thjesht një kult që lidh shpëtimin e kryetarit me fundin e botës.

Nëse Berisha po përjeton fundin e botës që gatoi vetë për 32 vite, le ta çojë deri në fund misionin e tij. Në fakt së bashku me ata që do ta ndjekin në këtë përpëlitje të fundit të 6 dhjetorit, po i bën një nder të madh PD-së dhe gjithë opozitarëve shqiptar. Duket se fundi i mashtrimit 1 vjeçare me Foltore, Rithemelim dhe Primare më në fund ka ardhur!/Alfapress.al

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next post Sondazhi/ Lëkundet besimi i socialistëve tek qeveria